441 raste të reja, bie numri i pacientëve në spital

Covid-19 nuk po kursen as të rinjtë. Një 21-vjeçar nga Fieri është një prej 10 pacientët që kanë humbur jetën në 24 orët e fundit si pasojë e infektimit me virusin pandemik. I riu vuante nga talasemia.

Ai u transportua në gjendje të rëndë në spitalin Covid 1 ku dhe e humbi betejën për jetën. 9 pacientët e tjerë që ndërruan jetë këtë të premte janë të grup moshës 42-82 vjeç. Ata janë nga Përmeti, Lezha, Pogradeci, Vlora, Berati, Saranda dhe Tirana.

Një rënie e lehtë është regjistruar në 24 orët e fundit sa i takon rasteve të reja. Nga 3572 testime kanë rezultuar pozitivë 441 qytetarë, 200 prej të cilëve vetëm në kryeqytet, ndërsa të tjerët në Fier, Elbasan, Durrës, Krujë, Vlorë, Lushnje, Berat, Kamëz.

Raste sporadike me Covid janë identifikuar thuajse në të gjithë vendi, ku në total numërohen 6,365 të infektuar. 146 prej tyre po trajtohen në spitalin Covid 1. 22 janë në gjendje më të rënduar. Gjatë 24 orëve të fundit  janë shëruar 628 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve mbi 167 mije që nga fillimi i epidemisë.

Tv Klan