“Më thoni ku është Mirko se do e vras”. Me thikë në dorë dhe duke ulëritur, Ubaldo Marcelli, burri i tezes së të voglit Matias shkoi në spital me qëllimin për ta vrarë 44-vjeçarin, i cili të martën i mori jetën djalit të tij vetëm 10 vjeç në Vetralla të Viterbos në Itali.

Marcelli u bllokua nga karabinierët, të njëjtët që ndodhen aty ku 44-vjeçari polak është shtruar që nga dita kur e vrau me thikë të birin, në shenjë hakmarrjeje ndaj gruas së tij shqiptare, e cila kishte vendosur t’i jepte fund marrëdhënies.

37-vjeçarja Marjola Rapaj kishte vuajtur prej vitesh dhunën barbare të bashkëshortit të saj polak, e më në fund kishte mundur të lirohej prej tij. Madje që prej Shtatorit për të dhe djalin 10-vjeçar kishte një urdhër mbrojtjeje. Mirko Tonkow e kishte të ndaluar t’i afrohej familjes. Fatkeqësisht, kjo nuk mundi të parandalonte tragjedinë.

Kunati i shqiptares, Ubaldo Marcelli kishte qenë ai që e kishte marrë nga shkolla të martën Matiasin dhe e kishte lënë në shtëpi, aty ku pak orë më pas nëna e tij do ta gjente të vrarë.

Vrasja e 10-vjeçarit ka tronditur mbarë opinionin publik. Mes dhimbjes dhe dëshpërimit për këtë krim makabër, të shtunën Matiasi u përcoll për në banesën e fundit. Me qindra ishin të pranishmit, mes tyre edhe shokët e shoqet shkollës. Në fund, në ajër u lëshuan tullumbace me emrat e të gjithë atyre që kishin njohur Matiasin.

Ndërkohë, e ëma e të voglit ndodhet në gjendje shoku. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, ajo nuk arrin të gjejë një përgjigje se çfarë e çoi ish-bashkëshortin që të ndërmerrte një akt kaq ekstrem sa të vriste me thikë në fyt të birin./tvklan.al