Dënohet me 15 vjet burg Nevaldo Hajdaraj, ish-efektivi i cili më 8 Dhjetor 2020 vrau me armë zjarri 25-vjeçarin Klodian Rasha. Duke qenë se përfiton nga gjykimi i shkurtuar, dënimi për ish-efektivin e Shqiponjave ulet në 10 vjet burg.

Menjëherë pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Tiranës, babai i viktimës, Qazim Rasha e quajti të padrejtë këtë vendim.

Qazim Rasha: Falë jush shumë gjëra morën rrugën, pavarësisht inskenimeve që u munduan me i krijuar dhe me i kryer në të gjitha format. Në radhë të dytë, falenderoj nga zemra çdo person që ka trokitur në derën e shtëpisë sime që nga dita e parë e deri sot në ditën e 216. Falenderoj çdo qytetar që mbushi sheshet e Shqipërisë dhe botës me moton, “ne jemi Klodiani”. Klodiani nuk ishte vetëm i imi, por i juaji dhe i të gjithëve. Falë punës suaj dhe mbështetjes që më dhatë më detyruar që të vihem në pozita akoma më të vështira. Ardhja ime që nga dita e parë ka qenë jo krejt pa domethënie dhe kush ishte domethënia. Problemi është se kjo nuk ishte vrasje e zakonshme. Ishte një makrabitet që e kreu një sekt që vetëm epitetin njeri nuk ia vendos. Ai për të cilin ti paguan taksat paturpësisht, një lloj huligani, padrejtësisht në rrugën e vet del dhe vret një djalë të ri. Kjo është makrabiteti. E kam thënë që ditën e parë.

Pavarësisht alibisë, pavarësisht ngjarjes, arriti deri aty sa viktima të marrë përgjegjësinë e kriminelit dhe krimineli u vesh me petkun e viktimës. Kjo është në 2020, është një ngjarje që ka trondit jo vetëm themelet e familjes sime, tronditi themelet e shoqërisë dhe themelet e një shteti. Kjo njollë e zezë nuk do t’i hiqet, jo mua se kam varrosur djalin se ai nuk më kthehet më, se unë e kam ditur që ditën e parë, por mesazhi im që ka ardhur këtu, ka qenë një dhe vetëm një: “I imi iku, u varros, por ama fëmija im, i juaji, i të gjithëve, gjaku është i njëllojtë si i fëmijës tim, i fëmijës tënd dhe i tjetrit”… dhe atyre gjyqtarëve e prokurorëve që morën këtë vendim. Mendoja që me këtë rast të shërbejë një shembull për këta që janë gjallë, të jetë një motivim, të shërbejë si motivim që ai gjyqtari, dhe ne si popull të kemi kujdes.

Zoti Rasha a bëri gjykata drejtësi?

Qazim Rasha: Si mund ta quash drejtësi kur çdo gjë është e qartë, çdo gjë është zbardhur, çdo gjë është e fushës dhe me një të rënë të lapsit njëherë i jep gjykim të shkurtuar, kur ai mund ta bëjë shembull. Është rast ekzemplar. Shteti mund të bëjë punën e vet. Shpresoj që kjo drejtësia e re që po ngrihet ca llumra t’i fshijë se janë akoma nëpër këmbë absolutisht as unë dhe as të tjerë nuk mund ta gjejë. Që ditën e parë kam kërkuar drejtësi, por me këtë drejtësi nuk mund ta gjejë as unë dhe askush.

Gjatë seancës së sotme, avokati i Hajdarajt kërkoi ndryshim të veprës penale, nga vrasje me dashje në “Vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”, si dhe kërkoi të dënohet në minimum. Vetë Hajdaraj nuk foli, por avokati shprehu pendesë.

Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar 20 vite burg për ish-efektivin e Shqiponjave.

Vrasja e Klodian Rashës shkaktoi një valë protestash në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Si reflektim për ngjarjen e rëndë, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dha dorëheqjen nga posti që mbante, duke shprehur solidaritetin për familjen Rasha./tvklan.al