Gjykata dënoi me 15 vite burg ish-policin Nevaldo Hajdaraj, i cili vrau në rrugicën e shtëpisë së tij 25-vjeçarin Klodian Rasha. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Hajdaraj përfitoi uljen e një të tretës së dënimit dhe do të vuajë vetëm 10 vite burg. Gjatë seancës gjyqësore, ish-polici nuk foli, por avokati foli për pendesën e tij dhe i shprehu ngushëllime familjes në emër të klientit.

Por në dalje të gjykatës, babai i Klodian Rashës u shpreh i irrituar për vendimin me 10 vite burg që kishte pranuar gjykimin e shkurtuar të çështjes.

“Si mund ta quash drejtësi, kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të lapsit i jep gjykimin e shkurtuar. Mendoj dhe besoj tek drejtësia e re që po ngrihet. Unë e kam kërkuar drejtësinë që ditën e parë, por me këtë lloj drejtësie nuk besoj se mund ta gjej as unë, askush”.

Sipas tij, për ngjarjen pati inskenime dhe tentativa manipulimi që nuk ia dolën ta fshehin të vërtetën, për shkak të protestave dhe të reagimit të mediave.

“Ai për të cilin paguan taksa, një lloj huligani, padrejtësisht vret një djalë i ri në rrugicën e shtëpisë së vetë. Pavarësisht alibisë, ngjarjes, tragjedisë, arriti deri aty sa viktima të marrë pozicionin e kriminelit dhe krimineli me petkun e viktimës. Është një ngjarje që ka tronditur jo vetëm themelet e familjes sime, por të mbarë shoqërisë, por edhe shtetit. Kjo njollë e zezë nuk do i hiqet. Mesazhi im një, fëmija im ik, u varros, por fëmija juaj, gjaku është njëlloj si i të gjithëve. Mendoja që me këtë rast të shërbejë një shembull për këta që janë gjallë, të shërbejë si simbolikë që edhe ju kini kujdes ruajini fëmijët tuaj”.

Klodian Rasha u vra mëngjesin e 8 Dhjetorit nga polici Nevaldo Hajdaraj, gjatë kohës kur ishte në fuqi ora policore. Vrasja e tij provokoi protesta të dhunshme në Tiranë për më shumë se një javë rresht.

Tv Klan