“Opinion” është një emision televiziv që ndër vite ka trajtuar tema nga më të ndryshmet, me të ftuar specialë, duke nisur nga krerët e lartë të shtetit e deri tek artistët më në zë të muzikës dhe kulturës në vend.

Më datë 06.09.2007, emisioni i gazetarit Blendi Fevziu festoi 10-vjetorin e themelimit, ku si në çdo përvjetor kishte bërë bashkë aktorë të kaheve të ndryshme politike dhe personazhe të njohur nga fusha të ndryshme. Gjatë festës së 10-vjetorit, disa prej të ftuarve dhanë opinionin e tyre lidhur me emisionin “Opinion”, të cilin e përshkruanin si emision me kulturë të lartë profesionale, me interes të veçantë për publikun, apo edhe si “palestra” më e mirë politikanëve shqiptarë.

“Emisioni i Blendi Fevziut është, një emision që ka hapur një faqe të re në gazetarinë televizive shqiptare, jo vetëm për premierat që ka bërë. Në këtë emision janë bërë përballjet e para të mëdha si ajo mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës, ajo e Besnik Mustafajt përballë Edi Ramës. Për herë të parë në këtë emision, Presidenti Berisha ka dhënë një intervistë të gjatë televizive, Ramiz Alia po ashtu dhe shumë personalitete të tjera. Jo vetëm për këto premiera, por edhe për mënyrën e të bërit dhe cilësinë, unë jam i mendimit që ky emision ka hapur një faqe të re në gazetarinë televizive”,tha analisti Andi Bushati.

“Opinion instaloi në mediat shqiptare njërën nga linjat më të rëndësishme kudo në botë. Arriti këtë sukses sepse drejtues i tij ia doli të organizojë dhe udhëheqë një emision me kulturë të lartë profesionale, të hapur, dinjitoz dhe me interes të veçantë për publikun. Është më i shikuari për shkak të vlerave që krijoi gjatë 10 viteve. Unë mbetem i hapur për debat në të gjitha rastet në “Opinion”, me të gjithë. I përcjell urimet më të mira Fevziut për këtë kontribut të paçmuar që ka dhënë. Projektet e tij të ardhshme do të jenë me interes edhe më të madh për publikun shqiptar”,tha Kryeministri i asaj kohe Sali Berisha.

“Opinion-i i Fevziut me gjithë këto pjesëmarrës dëshmon se ka ditur të mbledhë protagonistët kryesorë të rritjes dhe zhvillimit të Shqipërisë demokratike në 10 vitet e fundit. Jo vetëm politikanët, por edhe emra që përfaqësojnë faktorë rritje të shoqërisë sonë. Edhe unë nuk jam rastësisht këtu, sepse bashkë me Blendin kemi ditur të pasqyrojmë për publikun debate dhe shfaqje politike të vërteta, me të cilat kemi shoqëruar rolin e madh që ka lujtur politika. “Opinion” mbetet i pakonkurruar deri më sot dhe shpresoj që të sjellë sërish frymën e debatit dhe të ballafaqimit e të alternativave”,tha ish-Kryeministri Fatos Nano.

“Emisioni i mikut tim Fevziu është thelbi i kulturës politike të këtyre 10 viteve të fundit. Me shaka do të thosha se është palestra më e mirë e gjithë politikanëve shqiptarë dhe besoj që ka një rëndësi dy dimensionale, jo vetëm në aspektin gazetaresk, por në përgjithësi ka qenë një nga emisionet më emancipues të gazetarisë shqiptare dhe i ka shërbyer politikës në mënyrë direkte dhe të drejtpërdrejtë. Uroj që të vazhdojë kjo traditë edhe për shumë vite të tjera”, tha politikani Ben Blushi.

“Emisioni Opinion është një emision që ka bërë histori në vitet e tranzicionit dhe në periudhën që ka përfshirë. Për mua është emision që vlen veçanërisht për 8 vite, sepse këto 2 vitet e fundit mendoj që nuk është në lartësinë e vetes dhe të 8 viteve për të cilat flas. Megjithatë kjo bazë e rëndësishme nga pikëpamja historike, jam i bindur që do të vlejë për t’u ngritur përsëri në lartësinë e 8 viteve më parë”,tha Kryebashkiaku i Tiranës në atë periudhë, Edi Rama.

“Është një festë në të cilën ata që kanë qenë protagonistë të emisionit më shumë se sa të tjerë janë mbledhur për të pirë një gotë. Në këto 10 vite nuk mund të përcaktoj se cili mund të ketë qenë debati më i vështirë, por edhe më i thjeshti ka vështirësitë e veta”,tha vetë autori i emisionit Blendi Fevziu./tvklan.al