E diela ishte afati i fundit për të dhënë dorëheqjen

Më shumë se 100,000 persona protestuan të dielën në rrugët e kryeqytetit të Bjellorusisë, duke kërkuar largimin e presidentit Alexander Lukashenko. Protestuesit vërshuan nga rrugë të ndryshme për t’u mbledhur në sheshin qendror të Minskut, ndërkohë, Autoritetet e rendit mbyllën 12 stacione metroje dhe kufizuan internetin në celular në një përpjekje për të ndaluar njerëzit të mblidheshin.

Policia Bjelloruse përdori granata lotsjellëse dhe plumba gome kundër protestuesve në përpjekje për shpërndarjen e tyre.

Grupi i të drejtave të njeriut Vesna-96 bëri të ditur se 128 persona u arrestuan, ndërsa shpërndau në internet edhe një listë të emrave të protestuesve të ndaluar.

Ndërkohë që një zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme tha se ishte herët për të thënë se sa njerëz ishin plagosur ose ndaluar. Protesta e së dielës erdhi vetëm pak orë para se të skadonte afati që opozita dhe protestuesit i kishin vënë për Presidentin Alexander Lukashenko për të dhënë dorëheqjen, pasi në të kundërt do të përballet me një grevë kombëtare.

Liderja e opozitës së Bjellorusisë, Sviatlana Tsikhanouskaya tha se greva kombëtare do të fillonte të hënën pasi qeveria iu përgjigj me forcë protestave.

Tv Klan