Viti nis me bilanc negativ, të ardhurat nga turizmi tkurren

Ekonomia shqiptare humbi 100 milionë Euro si pasojë e mungesës së turistëve të huaj në periudhën janar-mars të këtij viti, kohë e cila ka shërbyer vitet e fundit si një sezon më vete për zhvillimin e turizmit kulturor.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë rezulton se të ardhurat nga të huajt përmes udhëtimeve janë 240 milionë Euro, kundrejt 346 milionë Eurove që ishin një vit më parë, edhe pse në shumë vende përfshirë Shqipërinë kishte nisur përhapja e epidemisë së Covid.

Por pavarësisht kësaj situate, duket se shqiptarët kanë vijuar të shfrytëzojnë disa porta dalëse drejt vendeve të tjera këtë fillimvit për të udhëtuar.

Gjatë 3 muajve të parë vizitat jashtë vendit u kanë kushtuar shqiptarëve 138 milionë Euro. Në Prill numërohen 230 mijë shtetas nga vendi ynë që kanë kaluar kufirin, ndërsa vizitorë të huaj janë 241 mijë, 80% e të cilëve e zënë vendet e rajonit: Kosovë, Mal i Zi dhe Maqedoni e Veriut.

Shpresat e agjencive dhe operatorëve turistikë janë që shifrat të jenë më entuziaste gjatë sezonit veror, për shkak edhe të rënies së numrit të infektimeve me Covid.

Tv Klan