Segmenti i Unazës së Madhe është pasuruar edhe me 100 pemë të reja të llojit selvi. Ky projekt, si pjesë e Pyllit Orbital, është i një rëndësie të veçantë për gjelbërimin e qytetit dhe uljen e ndotjes. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi mbjelljen e 100 selvive si një ogur i mirë për vijimin e aksionit dhe shtoi se ky vit do të jetë edhe më i suksesshëm se viti që lamë pas.

Nuk besoj se ka punë më të bukur se të qëndisësh Tiranën me pemë. Jam i bindur se në 2018-ën do ta kapim rekordin e mbjelljes së 100 mijë pemëve në gjithë territorin e Tiranës. Kjo që shohim sot është kontributi i një njeriu që nuk është miliarder, që nuk ka lindur në Bllok, që as i ka lënë dikush trashëgimi, por një pjesë të suksesit të tij e ndan me qytetin e Tiranës. Po mbjellim 100 selvi nga secila anë e autostradës, në zonën e Saukut, dhe besoj se deri në fund të këtij sezoni mbjelljeje do të kemi markuar të gjithë atë segment që quhet Pylli Orbital

”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ndaj, ai ftoi edhe një herë të gjithë qytetarët, që ashtu si edhe shumë biznese e individë të tjerë kanë bërë deri më tani, të kontribuojnë për një qytet të gjelbër duke dhuruar pemë. “Sikur çdo familje që ka pak mundësi t’i japë qytetit 100 pemë gjatë këtij viti, do të kishim një histori suksesi, jo të bashkisë, por të qytetarëve të Tiranës. Unë besoj se një qytet i mirë është një qytet ku çdo qytetar ndihet që është pronar i pjesës që i ka rënë për hise të kujdeset”, tha Veliaj.

Ai theksoi se çdo individ që ka një rast gëzimi në familje apo në jetën e tij mund ta përjetësojë atë duke mbjellë një pemë. “U kemi bërë një sfidë të gjithë qytetarëve të Tiranës, për çdo ditëlindje, për çdo ceremoni, për çdo përkujtim, të dhurojnë një pemë ose një stol, kështu secili lë gjurmën e vet në qytet. Do keni mundësi që pas 10-15 vitesh, kur të mos jemi në bashki, të kemi mundësi të themi si qytet, që secili ka lënë gjurmën e tij në vendin që mori përsipër të ndihmojë”, shtoi Veliaj.

Ai theksoi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me të njëjtin ritëm me mbjelljen e pemëve edhe për 2018, për t’u siguruar që në fund të këtij sezoni mbjelljesh të thyejë rekordin e 100 mijë pemëve të reja.

“Kemi përgatitur një stinë shumë intensive mbjelljesh, e cila ka filluar që nga dita e parë e 2018 dhe do të vazhdojë deri sa të na lejojë stina. Kemi edhe pak javë që mund të kapim këtë rekord dhe nëse të gjithë qytetarët do të na ndihmojnë, them do e kapim dhe do e tejkalojmë. Kjo varet nga sa solidaritet do kemi me njëri-tjetrin”,

tha kreu i Bashkisë së Tiranës./tvklan.al