Mbi 100 raste në ditë paraqiten tek Urgjenca Infektive me simptoma të helmimeve. Sipas shefes së këtij shërbimi, Najada Çomo, vapa ka shtuar rreziqet për kontaminimin e ushqimeve që për shkak të neglizhencës nuk mbahen në kushte frigoriferike.

“Fakti që në këtë sezon ne kemi fluks të shtuar të personave edhe me infeksione të aparatit tretës , është që o produkti nuk është mbajtur në mënyrë korrekte ose produkti nuk është përpunuar mirë nga ana termike, ose ai qëndron për orë të tëra në diell”, shprehet shefja e Shërbimit Infektiv.

Çomo thotë se shumica e rasteve  vijnë nga frekuentimi i plazheve, ku kontrolli mbi ushqimet është më i vogël.

“Kategoritë më të rrezikuara është grupmosha e re, e cila frekuenton ushqimet e ngrëna jashtë shtëpie dhe të sëmurët kronikë. Më shumë vijnë njerëzit nga zona bregdetare”, shton ajo.

Bluzat e bardha rekomandojnë ruajtje të higjenës, konsum të shpejtë të ushqimeve që blejnë, ruajtjen e tyre në kushte frigoriferike,  si dhe të konsumojnë sa më shumë ujë dhe lëngje.

Tv Klan