Numër i ulët i pacientëve në spitale

Mbeten të ulëta shifrat e pandemisë në vendin tonë. Në 24 orët e fundit autoritetet lajmëruan vetëm 2 viktima, njëri nga Tirana dhe tjetri nga Durrësi të moshave 70 dhe 83 vjeç. Shkon kështu në 2,396 numri i jetëve të humbura që nga nisja e pandemisë.

Të ulëta janë edhe shifrat e rasteve të reja. Nga 2962 testime të kryera në të gjithë vendin kanë rezultuar vetëm 100 raste pozitive. Shumica e tyre i përkasin Tiranës që ndiqet nga Korça, Fieri, Shkodra dhe Durrësi. Megjithatë numërohen mbi 18 mijë e 600 raste aktive.

Një situatë e stabilizuar është edhe në spitalet e vendit. Aktualisht aty po trajtohen 116 pacientë, 11 në terapi intensive, nga të cilët 3 pacientë janë të intubuar. Ministria e Shëndetësisë raportoi edhe për 834 qytetarë të shëruar duke e çuar numrin tyre në mbi 110 mijë që nga fillimi i epidemisë. Me gjithë shifrat e ulëta autoritetet apelojnë për mosneglizhim të masave mbrojtëse dhe respektim të distancimit social dhe mbajtjes së maskës.

Tv Klan