Asnjë informacion i vlefshëm për kapjen e tyre

Informacionet e mbërritura nga telefonatat në Policinë e shtetit për vendndodhjen e Klement Çalës, i cilësuar si truri i grabitjes së 6,5 milionë eurove në pistën e Rinasit kanë qenë të pakta. Edhe pse prej 3 Korrikut Policia e Shtetit ka vendosur ne dispozicion te qytetarëve një shumë prej 10 mijë eurosh, 3 grabitësit janë ende në arrati”.

Të paktën 100 telefonata janë administruar nga uniformat blu, por pas verifikimeve asnjë prej tyre nuk ka rezultuar e vlefshme për kapjen e vëllezërve Klement dhe Eldi Çala si dhe mikut të tyre Talo Çela.

Sipas policisë të tre këta persona referuar sistemit TIMS rezultojnë në territorin shqiptar, por ka dyshime se janë larguar nga vendi ynë përmes kufirit të gjelbër.

Nga grabitja e 9 Prillit të këtij viti deri tani janë vënë në pranga Ragip Hajdini, Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltjan Veseli, Saimir Çela dhe Alkond Bengasi. Ishte dëshmia e këtij të fundit që zbuloi grupin, pasi pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë.

Më 15 Qershor të këtij viti u arrestua edhe Hasan Kanaçi, personi që dyshohet se informoi grabitësit nga brenda aeroportit për trasfertën e parave drejt Vienës. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Kanaçit, u gjetën rreth 100 mijë Euro, që dyshohet se janë grabitur në pistën e Rinasit. Ditën kur ndodhi ngjarja, humbi jetën si pasojë e shkëmbimit të zjarrit me policinë Admir Murataj, i cilësuar si një nga organizatorët e supergrabitjes.

Tv Klan