Ceremonia e 100-vjetorit të armëpushimit që i dha fund Luftës I Botërore mblodhi në Paris udhëheqës nga 70 vende të globit.

Të ftuar të Presidentit francez Macron ndër të tjerë ishin edhe kancelarja gjermane Merkel, Presidenti amerikan Trump dhe ai rus Putin.

Organizatori i ceremonisë, Emmanuel Macron përmendi nacionalizmin si një rrezik të ri për paqen në Europë.

“Patriotizmi është saktësisht e kundërta e nacionalizmit. Nacionalizmi është tradhti ndaj patriotizmit. E di që ka djaj të së kaluarës që po dalin sërish në sipërfaqe. Janë gati të përhapin kaos e vdekje. Historia shpesh herë kërcënon të marrë edhe një herë kursin e të keqes.”

Edhe kancelarja Merkel theksoi se paqja mbetet e brishtë nëse injorohen angazhimet e përbashkëta.  Putin dhe Trump shtrënguan duart gjatë ceremonisë. Shefi i Kremlinit shprehu mbështetjen për projektin për ushtri europiane të kundërshtuar nga Trump.

“Ushtria europiane është një proces pozitiv. Ajo do të forcojë ekuilibrat botërorë”, tha Putin.

I ftuar në ceremoni ishte edhe Presidenti shqiptar, Ilir Meta dhe ai kosovar, Hashim Thaçi, i cili qëndronte pranë udhëheqësve më të rëndësishëm të globit.

Nuk munguan edhe incidentet për Presidentin amerikan, eskortës së të cilit i preu rrugën një aktiviste top-less e lëvizjes “Femen”.

Tv Klan