Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Visa”, si rezultat i të cilit bënë arrestimin në flagrancë të Diamanta Çakmak, 39 vjeçe, Emir Altug, 32 vjeç dhe Argent Disha, 36 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se “arrestimi i shtetasve të sipërpërmendur u bë pasi Diamanta Çakmak (e dyshuar si organizatore), nëpërmjet kamuflimit me një aktivitet tjetër tregtar, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë, u ka premtuar disa shtetasve të huaj pajisjen e tyre me dokumentacion si viza, leje qëndrimi dhe përfitimin e shtetësisë shqiptare kundrejt shumave të konsiderueshme që varionin nga 1000 deri 1500 euro”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pasportë që i përket një shtetasi të huaj, një vizë e dyshuar e falsifikuar, dy aparate celular dhe dokumente të ndryshme në funksion të aktivitetit kriminal.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i dokumentave”, “Falsifikimi i vulave stampave, formularëve ose vizave”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorim detyre”, në ngarkim të 3 shtetasve të lartpërmendur./tvklan.al