Presidenti i Mozambikut, Filipe Nyusi, tha se mbi 1,000 vetë mund të kenë vdekur nga cikloni Idai që ka goditur, javën e kaluar, këtë vend.

Duke folur për Radion e Mozambikut, Nyusi tha se shifra zyrtare e të vdekurve aktualisht qëndron në 84, porse ai beson se numri mund të rritet mbi 1,000.

Nyusi i bëri komentet pasi fluturoi mbi qytetin e goditur Beira, ku tha se ka parë “shkatërrim” dhe trupa nëpër zonat e përmbytura. Kryqi i Kuq tha se 90% e Beiras, qytet me 500,000 banorë, është dëmtuar ose shkatërruar.

“Beira është goditur rëndë, por po dëgjojmë se gjendja jashtë qytetit mund të jetë edhe më e keqe”, tha përmes një deklarate Federata Ndërkombëtare e Shoqatës së Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Cikloni Idai zbarkoi të enjten në Beira me erëra deri në 177 kilometra në orë, por ekipet e ndihmës arritën atje të dielën. Cikloni më pas u zhvendos në brendësi të Zimbabvesë dhe Malavit.