Zelanda e Re ka vendosur në karantinë qytetin më të madh pasi u regjistruan 4 raste me Covid-19 pas 102 ditësh pa asnjë infektim në nivel lokal. Karantina do të zgjasë 3 ditë dhe është e vlefshme vetëm në Auckland, aty ku u konfirmuan rastet.

Të infektuarit janë të gjithë pjesëtarë të së njëjtës familje, të cilët nuk kanë udhëtuar jashtë shtetit kohët e fundit. Masat e reja hyjnë në fuqi nga kjo e mërkurë, ndërsa autoritetet kanë nisur të gjurmojnë të gjitha kontaktet që kanë pasur familjarët.

Banorët e Auckland-it janë paralajmëruar që të qëndrojnë në shtëpi. Gjatë kësaj periudhe 3-ditore nuk do të lejohen grumbullimet e mëdha, si dhe do të mbyllen pjesa e bizneseve jo esenciale.

Zelanda e Re është një nga vendet që e ka luftuar më së miri koronavirusin. Atje janë regjistruar 1220 raste dhe vetëm 22 të vdekur që prej Shkurtit. Përpara të martës, Zelanda kishte 102 ditë që nuk regjistronte asnjë rast me koronavirus në nivel lokal. Shumë pak vende e kanë arritur këtë rekord.

22 rastet aktive të Zelandës së re përpara së martës ishin persona të kthyer nga vende të tjera, por që qëndrojnë të karantinuar./tvklan.al