104 vite në total ka dënuar Gjykata e Krimeve të Rënda 9 të pandehurit e dosjes së njohur si “Xibraka”.

Tetë prej të akuzuarve për përpunim dhe trafik ndërkombëtar droge të mbetur në tentativë janë të arrestuar. Ndërsa Genci Xhixha i cilësuar si kreu i kësaj organizate është ende në kërkim.

Xhixha u dënua me 13 vite burg. E njëjta masë dënimi u dha edhe për Sajmir Batkun. Me nga 12 vite heqje u dënuan dy kolumbianët Cesar Avila dhe Valter Moreno. Ilir Hysenin i cili ishte i vetmi që dëgjoi vendimin në sallë u dënua po me 12 vite burg. 11 vite heqje lirie u dhanë për Gentian Gjonin dhe Klement Dalipin. Ndërsa Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha dhe Arjan Dalipi, u dënuan me nga 10 vite burg.

Hetimi per grupin e Xibrakës nisi në 2014 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas një informacioni të mbërritur nga Gjermania. Sipas hetimit, 9 të pandehurit kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike. Ata kanë importuar nga Kolumbia për në Shqipëri një sasi lënde në përmbajtje të së cilës ka qenë e fshehur kokainë. Për përpunimin e saj, ata kishin ngritur edhe një laborator në Xibrake të Elbasanit.

Dy kolumbianët Cesar Avila dhe Valter Moreno ishin personat që kryenin këtë proces. Ndërsa pjesa tjetër e grupi merrej me transportin e lëndës narkotike deri në laborator nëpërmjet një sërë lëndësh që ndodheshin të depozituara në enë, shishe qelqi, qese, kontenierë . TV KLAN