Në dy vitet e fundit sistemet e shërbimeve publike dhe ato qeveritare jane sulmuar nga hakerat 105 here.
“Dua t’ju informoj që vitin e kaluar kemi pasur 42 sulme serioze dhe 1 vit përpara, në 2023 kemi pasur 63 sulme serioze”, tha Rama.
E pavarësisht risqeve që mbartin sistemet dixhitale, ambicja e qeverisë Rama siç ai thotë gjatë bilancave për investime në teknologji, është të rendin vetëm drejt saj e në mënyrë të veçantë inteligjencës articiale. Ajo po përdoret me sukses sipas Kryeministrit në procesin e negociatave dhe prokurimeve publike.
“Nuk e di a e keni dëgjuar ndonjëherë atë rastin kur u bënë termat e referencës për një rrugë dhe u vendos si kriter që kompania të ketë eksperiencë edhe në sisteme audio. Kuptohet që qëllimi ishte që t’i jepej një kompanie të caktuar dhe pastaj kur u pyetën “Çne audio për rrugën?” , “Sepse janë dhe zogjtë që nuk duhet të shqetësohen nga zhurmat!”.Pra, të gjitha këto, modeli, duke pasur parasysh që ne e kemi ndërtuar një sistem të bazuar tek njeriu që termat e referencës duhet të filtrohen nga Agjencia e Prokurimit Publik dhe kjo e ka ulur në mënyrë të ndjeshme arbitraritetin në termat e referencës, gjë që na ka rritur shumë në raport me vendet e tjera të rajonit, por këtë tani do ta përdorim si bazë për trajnimin e modelit të Inteligjencës Artificiale”, shprehet Rama.
Projektet e radhës janë për të patur id elektronike dhe kontroll rrugore dhe sistem gjobash që gjenerohen nga inteligjenca artificiale.
“Ne jemi duke punuar për kartën elektronike të identitetit, që faktikisht është e gjitha sipas standardeve dhe parametrave të përcaktuara nga BE. Falë Inteligjencës Artificiale do të mund të largojmë përfundimisht policët nga rrugët dhe policia do të organizohet si në çdo vend tjetër, e gatshme për të ndërhyrë kur është nevoja për të, por jo në kërkim të fajtorëve kur fajtorët nuk janë evidentë. Më në fund do të arrijmë edhe në momentin kur shkeljet e rregullave të qarkullimit, shkeljet e shpejtësisë do të konstatohen në kohë reale dhe në kohë reale do të vijë fotografia jote duke buzëqeshur teksa nga adrenalina e rritur je duke ecur më shpejt se ç’duhet me një këshillë që të ulësh shpejtësinë dhe me një informacion se ku duhet të paraqitesh dhe kur për të paguar gjobën, me fotografinë”, theksoi Rama.
Një mbështetje për këto projekte Rama thotë se po jep dhe qeveria franceze, ndaj falenderon ambasadoren e Francës në Tiranë duke pranuar se po bën një përjashtim nga rregulli i vendosur nga vetë ai për të mos i dhënë merita dhe rëndësi që nuk e kanë përfaqësueseve diplomatik.
“Unë e kam ulur shumë nivelin e falenderimeve ndërkohë ata, nuk e di domethëne, ata bëjnë detyrën për shtetin e tyre ndërkohë ne rrimë i falënderojmë sa herë që i shohim. Edhe ju krijomë dhe idera të çuditshme sikur ça janë”, thotë Kreu i Qeverisë.
Tv Klan