Rriten shifrat, 108 raste të reja në 24 orë

3 pacientë të prekur nga koronavirusi ndërruan jetë në 24 orët e fundit. Shqetësuese mbetet situata edhe në dy spitalet Covid, ku janë të shtruar 126 pacientë, ku është rritur numri i personave të intubuar.

“Tre qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen, një 77 vjeçare dhe një 83 vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese dhe një 68 vjeçar nga Hasi pa sëmundje të tjera. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 126 pacientë, 22 janë në terapi intensive dhe 12 pacientë janë të intubuar”.

Rastet e reja me Covid-19 janë rritur sërish në vendin tonë, ku 24 orët e fundit janë 108 të infektuar, me Tiranën që ka numrin më të lartë.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 477 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 108 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 49 raste në Tiranë, nga 11 raste në Durrës, Kavajë, 9 në Fier, 7 në Shkodër, nga 3 raste në Krujë, Kurbin, Tropojë, Berat, Mallakastër, 2 në Peqin, nga 1 rast në Korçë, Vlorë, Tepelenë, Shijak”.

Ministria e Shëndetësisë thotë se janë shëruar 60 persona brenda 1 dite. Që me fillimin e pandemisë, në Shqipëri janë 4466 persona të infektuar, ku 2523 janë shëruar tashmë. Në vendin tonë janë 1820 raste aktive me Covid-19, kryesisht Tirana, Durrësi dhe Shkodra kanë numrin më të lartë.

Ekspertët kanë ripërsëritur apelin për mbajtjen e maskave në ambientet e mbyllura si, distancimin social dhe larjen e duarve, si mënyrat që parandalojnë në përhapjen e Covid-19.

Tv Klan