Manastirliu: Janë kryer 1 mijë teste serologjike, 8% kanë fituar imunitet

11 mijë teste të reja i janë shtuar Institutit të Shëndetit Publik. Nga laboratori i virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se do të ketë intensifikim testimesh për gjurmimin aktiv të rasteve.

“Sot jemi në rreth 190 raste aktive, të cilat janë të shpërndara në 4 qarqe kryesore, por nga ana tjetër ajo çfarë nevojitet është vijimi i testimit dhe vijimi i gjurmimit të kontakteve të rrethit të parë, të rrethit të dytë, ashtu siç tashmë edhe në strategjinë e miratuar nga Komiteti i Ekspertëve është përcaktuar dhe është ndjekur”.

Nga 1 mijë testime serologjike rezulton se 8% e personave të testuar kanë fituar antitrupa ndaj Covid-19.

“Nga ana tjetër kemi vijuar me testimet e serologjisë për evidentimin e krijimit të antitrupave tek grupet e riskut.  Janë më shumë se 1 mijë personel shëndetësor të cilët kanë kryer analizën serologjike. Rreth 8% e tyre kanë krijuar antitrupa, pra rezultojnë 8% që kanë IGG pozitive”.

Drejtuesja e ISHP, Albana Fico tha se me mbërritjen e 11 mijë testeve në reja një financim i qeverisë shqiptare, tashmë ky institucion do të rrisë më tej vigjilencën ndaj Covid-19.

Tv Klan