SHBA thyen rekord infektimesh me 201 mijë raste

Rëndohet edhe më tej bilanci i koronavirusit në mbarë botën. Në 24 orët e fundit në nivel global humbën jetën mbi 11 mijë persona, numri më i lartë i viktimave që nga shfaqja e pandemisë.

Situata më e vështirë paraqitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat kanë ka regjistruar 1,951 jetë të humbura, ndërsa kanë thyer rekord me 201 mijë infektime ditore.

Me një situatë të rënduar po përballet edhe Europa, ku Italia vijon të ketë numrat më të lartë të infektimeve dhe viktimave. Autoritetet italiane raportuan për 37 mijë raste të reja dhe afro 700 viktima, duke rikthyer edhe frikën  e shifrave gjatë fazës së parë të pandemisë.

Një nga shtetet europiane ku duket se koronavirus ka dalë jashtë kontrollit është Polonia, e cila në 24 orët e fundit shënoi 22,464 raste të reja dhe 626 viktima.

Britania e Madhe ka shënuar një rënie me gati 25 për qind të infektimeve gjatë kësaj jave në raport me javën pararendëse, por ka pësuar një rritje me afro 30 për qind të numrit të viktimave. Kështu në 24 orët e fundit autoritetet britanike raportuan për 20,252 raste të reja dhe 511 viktima.

Ndërkohë që ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock bëri të ditur se vaksinat kundër koronavirusit do të fillojnë të mbërrijnë muajin tjetër, ndërsa qeveria zyrtarisht i ka kërkuar rregullatorit, MHRA, të marrë në konsideratë licencimin e vaksinës të bërë nga firmat farmaceutike Pfizer dhe BioNTech, e cila sipas mediave britanike do të kushtojë rreth 15 Paund.

Ndërkohë që në Francë dhe Spanjë duket se kanë nisur të japin efekte masat shtrënguese që këto shtete morën para disa javësh kundër koronavorusit, pasi numrat e infektimeve në 24 orët e fundit ishin sërish në rënie.

Tv Klan