ISHP: Shumica të pavaksinuar, mosha 1-13 vjeç

Regjistrohen 11 raste me fruth në Tiranë dhe Durrës. Drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini thotë se shumica e rasteve të konfirmuar pozitiv për fruth janë të pavaksinuar dhe mosha 1-13 vjec

“Kemi patur raste edhe vitet e kaluara, duke përjashtuar vetëm periudhën e pandemisë. Në këto 10-11 ditë po ndjekim rastet e konfirmuara dhe kontaktet sepse fruthi ka transmetueshmëri. ISHP ka konfirmuar 10 raste me fruth dhe një rast jo i laboratorit publik, në total 11 raste. Gëzojnë shëndet të plotë dhe kanë dalë nga strukturat spitalore nga spitali pediatrik dhe Durrësi. Fasha është 1-13 vjeç”, tha Tomini.

Ashtu si Europa edhe Shqipëria ka një ulje të nivelit të vaksinimit me 3% krahasuar me periudhën para pandemisë duke bërë që të ketë shpërthime të vogla të fruthit.

“Por duhet të theksojmë që javët e fundit OBSH ka sinjalizuar raste alarmi të shpërthimit në Europë dhe Shqipëria nuk është ishull, dhe duke patur mbulesë vaksinale që duhet rritur do kemi edhe raste te tilla. Ne kemi një mbulesë vaksinale 86 % me një dozë dhe 93-94 % me dy doza, një pjesë e popullsisë është e pavaksinuar. Flasim për vaksinat e moshës pediatrike”, tha ajo.

Vaksina e fruthit është e detyrueshme për fëmijët dhe ajo kryhet në moshën 1 vjeçare, por shumica e prindërve po hezitojnë për kryerjen e saj duke e shtyrë në kohë vaksinimin. Frika se kjo vaksinë shkakton autizëm vazhdon ende në popullatë, edhe pse shkencërisht nuk ka asnjë lidhje mes kësaj vaksine dhe sëmundjes.

Tv Klan