Opinion-11 Shtatori i vitit 2001 ishte një nga ngjarjet më të trishta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që do të mbetet në histori.
Sulmi në Kullat Binjake, i cili u cilësua si një akt terrorist mori jetën e mbi 3000 personave. Autorësinë e sulmit e mori lideri i atëhershëm i Al Qaeda, Osama bin Laden. Mëngjesin e 11 Shtatorit fillimisht dy avionë pasagjerësh u përplasën me të famshmet Kullat Binjake në New York. Një avion i tretë goditi një nga zonat më të survejuara amerikane, siç është Pentagoni, ndërkohë që avioni i katërt u rrëzua në një fushë të Pesilvanisë.
SHBA nisi menjëherë luftën kundër terrorizmit duke mësyrë në Afganistan, por eliminimin e Osama Bin Laden do ta arrinin shumë më vonë, në Maj të vitit 2011. Dëmet që iu shkaktuan SHBA-ve ishin kolosale. Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më 12 Shtator 2011 sjell në kujtesë ngjarjen e 10 viteve më parë dhe homazhet që u bënë në nderim të viktimave. Brenda pak minutave të 11 Shtatorit, 2 kullat simbol të New York do shkrumboheshin dhe mijëra njerëz do të vdisnin në një sekondë të vetme kur kullat nisën të shembeshin. Shumë pak njerëz arritën të dilnin të gjallë, vetëm ata që ndodheshin në katet e poshtme të ndërtesës.
Në një ditë të vetme humbën jetën mijëra njerëz nga 90 vende të botës, ndër ta edhe 3 persona me origjinë shqiptare, Rrok Camaj, Simon Dedvukaj dhe Monë Gjembalaj. George W. Bush në atë kohë President i SHBA-ve, i përshkroi disa kohë më pas kështu ngjarjet e 11 Shtatorit: “Avioni i parë dukej si një aksident, i dyti ishte sulm dhe i treti shpallje lufte”.
Njeriu më i fuqishëm në botë dhe këshilltarët e tij befas u përballën me gjendjen e jashtëzakonshme. Bush e përshkruan 11 Shtatorin si ngjarjen që i ndryshoi presidencën, nga president që ishte i përqëndruar në punët e brendshme në president lufte./tvklan.al