Inxhinierët në Greqinë qendrore kanë vlerësuar dëmet nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.3 që plagosi të paktën 11 njerëz dhe dëmtoi shumë ndërtesa duke hapur panik.

Sipas “RTL Today”, zyrtarët e mbrojtjes civile thanë që ishin vendosur tenda në një stadium lokal për strehim të përkohshëm, përveç pesë hoteleve në qytetin Trikala dhe Larissa.

Agjencia Shtetërore e Lajmeve “ANA”, bëri me dije se përveç shtëpive, ekipet inspektuan shkollat, spitalet dhe ndërtesat e tjera publike në zonë.

Guvernatori lokal tha se të paktën njëqind shtëpi dhe ndërtesa të tjera në zonën më të gjerë, përfshirë kishat, ishin dëmtuar.

Ministria e Kulturës bëri me dije se 4 kisha, përfshirë një që daton nga shekulli i 17-të, ishin dëmtuar.

Sipas vëzhguesit të Athinës, epiqendra ishte 16 kilometra (10 milje) në jug të qytetit të Elassona dhe 8 kilometra e thellë.

Greqia është goditur në mënyrë sporadike nga tërmetet, kryesisht në det dhe pa shkaktuar viktima.

Në tetor, një tërmet me madhësi 7.0 goditi në Detin Egje midis ishullit grek të Samos dhe qytetit të Izmirit në Turqinë perëndimore. Kujtojmë se dy adoleshentë humbën jetën në ishullin Samos në shembjen e një ndërtese./tvklan.al