RENEA mësyn në Nikël, 11 të ndaluar

Në pranga Durim Bami dhe emra të njohur për drejtësinë

Durim Bami, një emër i njohur për drejtësinë është ndaluar në zonën e Niklës të Krujës, bashkë me 10 persona të tjerë, në një operacion të gjerë të Policisë së Shtetit.

Përveç Durim Bamit, burime nga policia e cila ende nuk ka bërë një njoftim zyrtar, bëjnë me dije se janë ndaluar edhe emra të tjerë me precedentë kriminalë. Mësohet se të shoqëruar në policisë e Durrësit janë Flamur Haka, i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë dhe person i kërkuar nga policia.

Po kështu janë shoqëruar edhe Marenglen Haka, Bedri Haka, Valter Bami dhe Ylli Cangu. Ende nuk dihet arsye e ndalimit të këtyre personave, ndërsa zona e Niklës njihet si vendi ku qëndrojnë persona me rrezikshmëri të lartë dhe me precedentë kriminalë.

Aksioni nisi rreth orës 04:00 të mëngjesit, ku forca të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Forcat Speciale të RENEA-s kanë ushtruar kontrolle në banesat e personave të dyshuar si kontigjent kriminal. Operacioni është ndjekur nga afër nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Në momentin që policia ka zhvilluar operacionin është shkëputur edhe energjia elektrike në fshatin Nikël. Mësohet se gjatë operacionit, uniformat blu kanë sekuestruar një mjet të blinduar, si dhe municione luftarake.

Pak ditë më parë, Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion të ngjashëm në qytetin e Shkodrës, ku vuri në pranga 4 persona të dyshuar si anëtarë të grupeve kriminale në këtë qytet.

Tv Klan

Kategori
KronikeTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*