Ndërron jetë një grua shtatzënë në Shkup

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë regjistruar edhe 25 raste të reja me Covid-19. Sipas qyteteve në Shkup 7, Kumanovë 7, Prilep 2, Tetovë 5, Strugë 2, Gjevgjeli 1 dhe Koçani 1. Me 25 rastet e reja numri i përgjithshëm i të infektuarve me Covid-19 në vend shkon në 354. 9 pacientë, pas testit kontrollues evidentohen si të shëruar, kurse pritet rezultati i 11 personave në Dibër, për të cilët Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe shpreson se gjithashtu do të regjistrohen si të shëruar.

Numrat flasin se më shumë të prekur ka në Shkup, 183, në Kumanovë 54, në Dibër 47, Shtip 15, Prilep 12, Tetovë 13, Strugë 9, Veles 6, Manastir 4, Ohër 3, Gjevgjeli dhe Kavadar nga 2 dhe nga një pacient në Strugë, Kriva Pallankë dhe Koçanë. Në këtë situatë Ministri Filipçe siguron se sistemi shëndetësor mund t’i përgjigjet kësaj sfide.

“Vlerësoj se duke patur parasysh vendosjen e sistemit shëndetësor, numrin e mjekëve specialistë, mjekëve amë, qasjes së pacientëve, mendoj se organizimi i sistemit shëndetësor është solid. Presim kulmin. Sistemi shëndetësor është i gatshëm të pranojë më shumë pacientë se sa që kemi tani”.

Filipçe sqaroi se një lehonë në moshën 27-vjeçare, e cila dje nga Kumanova është dërguar në Klinikën e gjinekologjisë në Shkup, është pozitive në virusin korona, ndërsa sot testohet foshnja e saj. Ajo ka pasur një anëtar të familjes me simptoma të sëmundjes. Lehona tjetër, e sjellë nga Ohri, dje ka humbur jetën në Klinikën e gjinekologjisë me më shumë komplikime shëndetësore.

“Ka edhe një lehonë që është sjellë mbrëmë vonë, 37-vjeçare, nga Ohri, është sjellë në orët e pasdites me Ndihmën e Shpejtë, me temperaturë të lartë, 39 gradë, me foshnje të vdekur. Janë bërë analiza të plota, është marrë strisho për virusin korona. Mjekët në mënyrë operative e kanë nxjerrë foshnjën, nga barku i nënës është evakuuar edhe qelb, që mund të jetë arsye për gjendjen febrile, por në çdo rast priten rezultatet e strishos. Gjatë intervenimit gjendja është përkeqësuar, është bërë përpjekje për reanimacion por në orën 22 është konstatuar vdekja.”

Përndryshe pas kontrollit nga ana e inspektorëve janë shqiptuar dënime për ish-drejtoreshën e spitalit të Ohrit, për mjekët specialistë nga reparti infektiv dhe për vetë institucionin, pasiqë gjatë fundjavës së kaluar nuk u pranua një grua e sëmurë nga Struga, pas çka pacientja vdiq. Rreth kësaj gjatë këtyre ditëve do të debatojë edhe Komisioni i Etikës pranë Odës së Mjekëve  të Maqedonisë së Veriut.

Tv Klan