Dhjetëra të plagosur në rrugët e vendit

3 persona humbën jetën në një aksident që ndodhi mëngjesin e së shtunës në afërsi të Rrogozhinës. 3 automjete u përplasën me njëri-tjetrin për shkak të shpejtësisë dhe një parakalimi të gabuar.

Viktimat janë Tonin Mëhilli 54 vjeç, oficer policie në burgun e Peqinit i cili ishte drejtuesi i njërit prej automjeteve si dhe çifti i bashkëshortëve Bajram dhe Merushe Koni që po udhëtonin në një automjet tjetër.

Nga aksidenti janë plagosur rëndë edhe 2 persona të tjerë të cilët janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit dhe më pas drejt atij të Traumës në Tiranë. Njëri nga të plagosurit është një fëmijë vetëm 10 vjeç.

Por kjo javë ka shënuar një bilanc lufte sa ku takon aksidenteve. 11 persona kanë humbur jetën në 7 ditët e fundit dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.

I rëndë ishte aksidenti i së dielës së kaluar në aksin Fier-Vlorë ku humbën jetën 2 të rinj dhe u plagosën rëndë 2 të tjerë. Policia arrestoi një 40-vjeçar në gjendje të dehur si shkaktar të aksidentit.

Po atë ditë një 16-vjeçar humbi jetën në një aksident në Vorë.  Muaji Mars nisi me një tjetër viktimë. Një i moshuar u godit për vdekje në Bulqizë nga një makinë, e cila u largua nga vendi i ngjarjes.

Në 3 Mars një 32-vjeçar humbi jetën në aksin Korçë-Pogradec pasi makina e tij u godit nga një tjetër automjet drejtuesi i së cilës u arrestua më pas nga policia.

E premtja shënoi një tjetër ditë të përgjakshme në rrugët e vendit pasi në Qafë Kashar në periferi të Tiranës ku dalja nga rruga e një makine shënoi 3 viktima dhe 1 të plagosur.

I gjithë viti 2021 ka shënuar shifra të larta aksidentesh pasi në 2 muajt e parë të tij janë regjistruar 248 aksidente ku kanë humbur jetën 38 persona si dhe janë plagosur 286 të tjerë.

Tv Klan