507 raste të reja, shumica konfirmohen në Tiranë

Rëndohet sërish bilanci i jetëve të humbura nga koronavirusi në vendin tonë. Në 24 orët e fundit, 11 qytetarë të tjerë nuk e kanë fituar dot betejën me Covid-19, duke e çuar në 590 numrin total viktimave që nga shfaqja e pandemisë në vendin tonë.

Ajo që bie në sy nga raportimi i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë është fakti se një pjesë e mirë e qytetarëve që kanë humbur jetën janë të moshës nën 60 vjeç, dy prej tyre të moshës 43 dhe 48-vjeçare.

“Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit, kanë humbur jetën 11 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në spitalet COVID: Një 43-vjeçar nga Gjirokastra, një 58-vjeçar nga Peqini, një 66-vjeçar nga Pogradeci, një 48-vjeçar nga Fieri, një 68-vjeçar dhe një 78-vjeçar nga Berati, një 53-vjeçare dhe një 78-vjeçare nga Korça, një 70-vjeçare nga Elbasani, një 78-vjeçare, dhe një 85-vjeçar nga Tirana”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Situata paraqitet e rëndë edhe në spitalet Covid ku është rritur numri i pacientëve në gjendje të rëndë. Aktualisht në 3 spitalet COVID, janë shtruar 363 pacientë, 18 në terapi intensive, nga të cilët 5 të intubuar.

Të larta mbeten edhe infektimet ditore, teksa në 24 orët e fundit janë konfirmuar 507 raste të reja me koronavirus. Harta e përhapjes së virusit përfshin kryesisht qendrat e mëdha urbane, ku Tirana thyen rekordin me 295 raste, e ndjekur nga Durrësi me 45 raste dhe Fieri me 27 raste.

“Kanë rezultuar pozitivë me virusin SARS COV-2, 507 qytetarë në 24 orët e fundit. Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 295 raste në Tiranë, 45 në Durrës, 27 në Fier, 25 në Krujë, nga 19 raste në Elbasan, Berat, 16 në Librazhd, 12 në Vlorë, 11 në Pogradec, 10 në Korçë, 7 në Gjirokastër, 6 në Kavajë, nga 4 raste në Devoll, Has, 3 në Sarandë, nga 2 raste në Kukës, Përmet”.

Lajmi i mirë është se 140 qytetarë janë shëruar, duke e çuar në 12,493 numrin total të personave që e kanë mundur koronavirusin. Gjithsesi për herë të parë numri total i personave të shëruar është më i vogël se numri i personave aktiv me Covid, çka tregon për përkeqësimin e ndjeshëm të situatës së pandemisë në vendin tonë.

Tv Klan