Bandat ushtarake të Shqipërisë, SHBA dhe Britanisë së Madhe u bënë bashkë për herë të parë, në Korçë, me rastin e festimeve të 110 – vjetorit të Pavarësisë dhe 110 – vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura.

Qytetarë të shumtë, jo vetëm nga Korça, por edhe qytetet e ndryshme të vendit shijuan një mbrëmje të bukur festive që filloi tek Zona Këmbësore dhe vijoi tek Pazari i Vjetër. I pranishëm ishte edhe Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili tha se bashkimi i bandave të vendeve të NATO-s dhe Kosovës në këto aktivitete që përkojnë edhe me 110-vjetorin e Pavarësisë dhe me 110-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura kërkon të përcjellë një mesazh të bukur paqeje dhe sigurie.

Aktivitete të tjera do të ketë në ditët në vijim. Më 30 Nëntor, në Kukës Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës do të zhvillojnë një ndeshje futbolli, ndërsa do të performojnë në një koncert të përbashkët.

Më 1 dhjetor, në pika të ndryshme të Kryeqytetit do të organizohen performanca të ndryshme, të bandave ushtarake të Sllovenisë, Italisë, Maqedonisë së Veriut, Britanisë së Madhe, Greqisë, Kosovës, SHBA-së, Francës dhe Shqipërisë.

Ndërsa më 3 Dhjetor në orën 19:00 do të organizohet edhe koncerti i madh Gala, në Pallatin e Kongreseve me pjesëmarrjen e mbi 300 artistëve. /tvklan.al