Ulje e lehtë e numrit të të shtruarve

Ulet numri i të shtruarve në dy spitalet covid krahasuar me një ditë më parë. Burime të Tv Klan thanë se janë 112 persona që  po marrin ndihmë mjekësore në spital, prej tyre 19 janë në reanimacion dhe 7 të intubuar.

E shtuna shënoi një nga ditët më negative me nisjen e pandemisë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, 6 pacientë humbën jetën nga të cilët kishte edhe pa sëmundje bashkëshoqëruese. 115 pacientë merrnin ndihmë mjekësore në spital, 21 në terapi intensive dhe 9 të intubuar.

Siç vihet re nga shifrat në 24 orët e fundit ka një ulje të numrit të pacientëve ka si në pavion, ashtu edhe në shërbimin e terapisë intesive dhe atyre të intubuarve.

Që nga nisja e pandemisë në vendin tonë kanë humbur jetën 134 persona ku më shumë se gjysmën i ka Tiranë e ndjekur nga Shkodra dhe Durrësi. Këto janë edhe 3 qarqet që kanë numrin më të madh të të infektuarve.

Mjekët apelojnë të respektohen masat anticovid, që janë mbajtja e maskave, larja e shpeshtë e duarve dhe ruajtja e distancës. Sipas tyre, këto janë tre rregullat e vetme që mbajnë larg virusin, i cili mund të rezultojë fatal edhe për moshat e reja dhe pa asnjë sëmundje tjetër.

Tv Klan