Në një lidhje në Skype nga Italia, për emisionin “Historia ime”, në TV Klan ishte ish futbollisti i kombëtares, Igli Tare. Ai u shpreh se prej 12 ditësh qëndron i izoluar në shtëpi, por po mundohet ta kalojë në një mënyrë sa më pozitive. Sipas tij është e rëndësishme të zbatohen me rigorozitet, rregullat e vendosura në këtë periudhë, ku infektimi është shumë i lartë.  

Mirela Milori: Si po kalojnë këto ditë të karantinës në Itali? E sata ditë është për ty?

Igli Tare: Kjo është e 12-ta.

Mirela Milori: Si po kalojnë?

Igli Tare: Mundohemi ta kalojmë në mënyrë sa më pozitive sepse është e rëndësishme edhe kjo anë, duhet të jemi shumë pozitivë, por mbi të gjitha duhet të jemi shumë rigorozë në zbatimin e rregullave që janë dhënë. Është shumë e rëndësishme, sidomos në këtë periudhë ku infektimi është shumë i lartë.

Mirela Milori: Si po e kalon Italia nga ana psikologjiek këtë moment?

Igli Tare: Është e ndarë në dy pjesë, sepse pjesa e veriut, e kalon me shumë ankth ndërsa pjesa e mesme dhe e jugut diçka më pak, por edhe këtu në Romë ditët e fundit ka patur rritje të të infektuarve, por edhe të atyre njerëzve që janë në terapi intensive. Ajo që është e rëndësishme është që duhet të mbyllemi dhe të jemi akoma për një periudhë kohe, derisa të na japin atë dritën jeshile, që të kemi mundësi për të lëvizur. Por duhet bërë pak durim, se është e vetmja mënyrë për ta kaluar.

Më tej, Tare shton se izolimi në shtëpi është i nevojshëm që kjo situatë të kalojë sa më shpejt.

Igli Tare: Nuk besoj se ka njerëz më të shëndetshëm se futbollistët dhe sportistët, ta kuptojnë sa e rëndësishme është kjo, kur jemi mbyllur ne nëpër shtëpia dhe kemi gati dy javë që nuk dalim dhe e respektojmë në maksimum, nuk ka nevopjë për ta shpjeguar më tej. Sa më shumë njerëzit të dalin, aq më gjatë ka për të zgjatur koha dhe aq më të mëdha do jenë problemet. Sa më shpejt ta respektojnë këtë rregull, që kanë vendosur, aq më shpejt ka për të kaluar kjo situatë e rëndë dhe vështirë./tvklan.al