Manastirliu: Së shpejti edhe për qytetarët në rrethe

Vetëm në ditën e parë të hapjes së 6 pikave të testimit të shpejtë në kryeqytet, mbi 300 qytetarë të dyshuar për Covid – 19 kanë kryer testin e antigeneve.

Nga qendra shëndetësore Nr.10, ministrja e Shëndetësisë tha se nga nisja e këtij procesi gati dy javë më parë janë realizuar mbi 12 mijë teste, ndërsa ritheksoi rolin e mjekut të familjes në menaxhimin e situatës.

“Çdo pikë e hapur në Tiranë për testimin e shpejtë në komunitet mbulon rreth 100,000 banorë, të cilët, kur kanë shenja apo dyshime, kanë qenë pjesë e kontaktit që kanë rezultuar pozitiv, lidhen me mjekut e familjes, përcaktojnë fashën orare dhe testi kryehet në një kohë shumë të shpejtë dhe me cilësi të lartë”.

Synimi i radhës është hapja e 4 pikave të tjera për testimin e shpejtë në Tiranë, për të vijuar më tej edhe me rrethet. 

“Në varësi të fluksit, do të vijohet edhe me hapjen e 4 pikave të tjera për testimin e shpejtë në Tiranë, ndërkohë që spitalet rajonale në të gjithë vendin janë pajisur me teste të shpejta të antigenit”.

Testimi i shpejtë funksionon në 6 pika në Tiranë, në qendrën shëndetësore Nr.4, Nr.9, Nr.10, Nr.4, në qendrën shëndetësore të Kombinatit, në Qyteti Studenti dhe në Kodër-Kamëz.

Tv Klan