Uashingtoni dhe Moska nuk do të bëjnë publike detajet e bisedimeve të së hënës në Riad të Arabisë Saudite, si pjesë e nismës për paqen në Ukrainë.

Ishte planifikuar që detajet e bisedimeve që zgjatën 12 orë, të publikoheshin këtë të martë në një deklaratë të përbashkët për shtyp, por Kremlini tha se detajet do të mbeten konfidenciale.

Në një intervistë për median shtetërore të Rusisë, kryediplomati rus Sergei Lavrov tha se në fokus ishte rigjallërimi i marrëveshjes për transportin e sigurt të grurit ukrainas përmes Detit të Zi, pakt nga i cili Moska u tërhoq në 2023-shin pak muaj pas arritjes së paktit.

Lavrov tha megjithatë se Rusia kërkon garanci për zbatimin e plotë të marrëveshjes nga pala ukrainase, e cila në atë kohë, sipas Moskës, devijonte ngarkesat me grurë për vendet afrikane, drejt shteteve europiane.

Në media u tha më herët se pjesë e bisedimeve ishte edhe arritja e një armëpushimi të pjesshëm në det dhe ajër. Këtë të martë, amerikanët zhvilluan bisedime shtesë me palën ukrainase, të cilat pritet të bëhen publike.

Tv Klan