6 persona të tjerë të shpallur në kërkim nga policia

Këto janë momentet e shkëmbimit të drogës në rrugicat e Tiranës nga një grup të rinjsh të filmuar me dron nga policia. Të proceduar penalisht janë 22 persona, 12 prej të cilëve u vunë në pranga në një operacion të koduar “Parku”, hetimet e të cilit kishin nisur që një vit më parë.

Mes të arrestuarve 2 janë të mitur ndërsa 6 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. 4 të tjerë janë vënë në pranga në muajt Shkurt dhe Mars të këtij viti në një tjetër operacion.

Hetimet nisën nga komisariati numër 2 pas denoncimeve të banorëve të zonës së ish-Parkut të Autobusëve se trafikantët ishin kthyer në shqetësim të vazhdueshëm. Të rinjtë akuzohen për “prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar sasi me lëndë narkotike dhe shuma të ardhura nga shitja e drogës.

Sipas policisë, rrjeti e zhvillonte aktivitetin në rrugët “Ndre Mjeda” dhe “Frosina Plaku”. 2 nga anëtarët e këtij grupi janë autorë edhe të djegies së dy automjeteve në 6 prill të këtij viti në Tiranë. Ata akuzohen edhe për  “Shkatërrim të pronës me zjarr” dhe “moskallëzim krimi”.

Tv Klan