12 të arrestuar në një operacion ndërkombëtar kundër krimit të organizuar



12 të arrestuar në një operacion ndërkombëtar kundër krimit të organizuar

11:49 16/03/2021

12 janë urdhër arrestet e ekzekutuara mëngjesin e kësaj të marte, në një operacion të përbashkët ndërkombëtar mes policisë italiane dhe asaj shqiptare. Operacioni i koduar NEIKEA, çoi në shkatërrimin e një organizate që merrej me trafikun e kokainës në Milano, Itali dhe në Shqipëri.  

Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thonë se në vendin tonë u arrestuan dy persona, në Tiranë e Laç. Ata janë Bledar Coman alias Bledar Kurti, 40 vjeç, banues në Tiranë dhe Enis Preci alias Enis Uruci, 27 vjeç, banues në Laç. Të arrestuarit do të ekstradohen drejt Italisë.

Ky operacion nisi në vitin 2016 nga Policia e Milanos dhe kishte për qëllim goditjen e organizatës kriminale që drejtohej nga italiani Luca Guerra, i cili merrej me shitjen e kokainës në Balsamo/Milano.

Guerra u arrestua më 1 Prill të 2016 dhe drejtimin e organizatës kriminale e mori Giuseppe Sanfilipo, i cili u arrestua më datë 25 Qershor të po atij viti, pasi tentoi të vriste një shqiptar me iniciale M. P.

Në kuadër të të njëjtit operacioni, më datë 13 Nëntor të 2016-s u arrestua në kufirin midis Francës dhe Italisë edhe korrieri shqiptar i drogës, si dhe u sekuestruan 8.6 kg kokainë./tvklan.al







Të ngjashme