12 viktima dhe 525 raste të reja në 24 orë

12 viktima dhe 525 raste të reja në 24 orë

16:53 09/11/2020

Mbetet i lartë numri i pacientëve në spitale

24 orët e fundit shënojnë shifrën më të lartë të jetëve të humbura që nga nisja e pandemisë së Covid-19 në vendin tonë. 12 pacientë humbën jetën në 3 spitalet Covid, edhe për shkak të sëmundjeve bashkëshoqëruese. Viktima më e re është një 34-vjeçar nga Durrësi.

Numrin më të madh të viktimave të ditës së fundit e ka Tirana me 5 pacientë, 2 të tjerë janë nga Pogradeci ndërsa të tjerët i përkasin Lezhës, Elbasanit, Beratit dhe Korçës. Ka shkuar tashmë në 571 totali i jetëve të humbura në vend prej virusit.

Të larta mbeten ende shifrat e të shtuarve në spitale. Aktualisht në spitalet Covid, po trajtohen 360 pacientë, 10 në terapi intensive nga të cilët 2 pacientë janë të intubuar.

Në raportin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë raportohet një tjetër rekord edhe për rastet e reja të infektimeve. Nga 1967 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë 525 qytetarë të prekur nga virusi. Gati gjysma e tyre, 222 raste janë në Tiranë e ndjekur nga Shkodra me 38 raste dhe më pas Durrësi, Kruja dhe Vlora.

Infektimet me koronavirus kanë prekur tashmë pothuajse të gjitha bashkitë. Që nga nisja e pandemisë në vend janë identifikuar 24 731 të prekur me Covid, ndërsa gjysma e tyre janë ende aktivë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 111 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 12,203 që nga fillimi i epidemisë.

Tv Klan





Të ngjashme