Policia rrethon klinikën infektive për hetime

12 pacientë me Covid-19 kanë vdekur vetëm gjatë fundjavës në Kosovë. 8 raste janë konfirmuar dje ndërsa për 4 të tjera thuhet se kanë ndodhur në orët e para të ditës së sotme.

Këto vdekje po cilësohen të dyshimta meqë në mëngjes policia kishte rrethuar klinikën infektive.  

Por rreth dyshimeve të hedhura për vdekjen e këtyre pacientëve dhe arsyen pse organet e rendit dhe hetuesisë ishin në klinikë, nuk ka folur asnjë nga drejtuesit e shëndetësisë, e as vetë ministri, të cilët në orën 13:00 zhvilluan një takim me kryeministrin Avdullah Hoti.

Kryeministri Hoti, i cili doli i vetëm në konferencën për media, nuk dha detaje, por tha se nëse ka ndodhur ndonjë lëshim atëherë organet e rendit do të merren me të.

“Stafi shëndetësor po bëjnë maksimumin, organet përkatëse do të ftohen nëse ka pasur ndonjë lëshim. Informatat që i kam janë që është bërë maksimumi për jetën e qytetarëve në klinikë”.

Pas shtimit të numrit të rasteve të të prekurve me Covid-19 qeveria ka paraparë shtimin e stafit mjekësor dhe përgatitjen e më shumë klinikave derisa do të blihen 7 aparatura për testime për QKUK dhe spitalet rajonale.

“Do të krijohen brenda ditës që të shfrytëzohen maksimum kapacitetet ekzistuese deri në 500 teste brenda ditës, brenda javës do të licencojmë institucionet private për të kryer testet virologjike”.

Qeveria parasheh masa të reja kufizimin e lirisë së lëvizjes nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit në komunat që janë më të prekura si Prishtina, Prizreni, Ferizaj  dhe Vushtrria. Do të reduktohen punëtorët e institucioneve dhe do të punohet vetëm me staf esencial.

Lokalet obligohen të mbyllen nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, ndërsa gjatë kohës së funksionimit lejohet puna vetëm në hapësira të jashtme dhe shërbimi merr me vete. Edhe numri i njerëzve që do të shfrytëzojnë trafikun urban do të përgjysmohet.

Tv Klan