Sipas zëdhënëses së PD-së, Floriana Garos, në protestën e sotme të opozitës kanë marrë pjesë rreth 120 mijë qytetarë.

E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Garo tha se në dijeninë e saj, fjala që ka mbajtur kryedemokrati Berisha ditën e sotme në protestë, ka qenë direkt nga shtëpia dhe jo e regjistruar.

Më tej, Garo u shpreh se sot është dëshmuar se ku qëndrojnë demokratët, ndaj dhe i ka bërë thirrje Lulzim Bashës dhe deputetëve që e mbështesin atë që të dorëzojnë vulën e PD-së.

Blendi Fevziu: A ishte i regjistruar mesazhi i Berishës apo ishte direkt online?

Floriana Garo: Mesa di unë, ka qenë live nga shtëpia e tij.

Blendi Fevziu: Ishte ndërtuar një mini-tribunë në shtëpi për të mbajtur fjalimin?

Floriana Garo: Mesa kam informacion unë, po. Ai sigurisht ka pritur për të parë si do të shkonte dhe emocioni që merr kur je live është tjetër. Ai e pa se sa ishin aty, foli në funksion të asaj turme. Unë mund të them se ishte përtej pritshmërive. Kjo ishte një protestë për t’u ekzaltuar, të paktën në sa kohë kam unë në PD, kjo ka qenë protesta më e madhe. E ka tejkaluar 7 Korrikun – 1 kilometër nga Kryeministria, një përllogaritje e thjeshtë 30 metra gjerësi dhe 4 persona për metër katror, i thonë mbi 100 mijë vetë-120 mijë vetë. Kjo është një përllogaritje e përafërt, unë mendoj që ja vlen të falenderojmë të gjithë ata demokratë dhe qytetarë që kanë ardhur atje për të mbështetur opozitën dhe kjo është një gjë e jashtëzakonshme. I bëj thirrje Bashës dhe deputetëve që e mbështesin të dorëzojnë vulën e PD-së. Sot u tregua se ku qëndrojnë demokratët. Bëj thirrje që të dorëzojnë vulën.


/tvklan.al