Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut sërish njoftojnë për rritje të shifrave të infektimeve të reja me COVID-19. Gjatë së martës u raportua për 511 raste të reja me COVID-19 dhe për dhjetë viktima. Numri i përgjithshëm i viktimave në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 7.072.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë periudhës nga 15 deri 21 Tetor, si pasojë e komplikimeve nga COVID-19 kanë ndërruar jetë 124 pacientë. Prej tyre 97 kanë qenë të pavaksinuar kurse vetëm 27 kanë marrë një ose dy doza të vaksinave.

Sipas autoriteteve të shëndetësisë, pacientët e vaksinuar që kanë ndërruar jetë kanë qenë të injektuar, një me “Fajzer”, dy me “AstraZeneca”, gjashtë me “Sinovac”, 16 me “Sinofarm” dhe dy me “Sputnik V”, por kanë patur edhe më shumë sëmundje të kombinuara kronike.

Ndërkohë, derisa dukshëm ka rënë interesimi për dozën e parë të vaksinave anti-covid, është rritur në mënyrë enorme interesi për dozën e tretë. Nga 7.739 vaksinat që janë aplikuar gjatë së Hënës 5.362 qytetarë kanë marrë dozën e tretë, duke e cuar në 15.851 numri total të personave që marrin dozën përforcuese.

Sipas MSH-së në Maqedoninë e Veriut janë aplikuar mbi 1.5 milionë vaksina, kurse 54% e qytetarëve mbi 40 vjeç kanë marrë dy doza.

Klan Macedonia