Peleshi, kritika bashkive: Kemi 2 vatra aktive

125 vatra zjarri janë evidentuar në Shqipëri gjatë Qershorit dhe Korrikut, 45 prej të cilave vetëm në 3 ditët e fundit. 2 vatrat më të nxehta aktive, aktualisht janë në pyllin e fshatit Peshtan në Fier dhe fushën e mbetjeve në Vlorë.

 “Sot kemi dy zjarre aktive dhe shumë kritike. Në Peshtan kemi 50 efektivë, dy autobotë uji, 15 forca bashkiake, krahas 50 forcave policore dhe helikopterit Cougar që ka punuar vazhdimisht. Dhe në Vlorë pas 20 ditësh u riaktivizua përsëri vatra. Helikopteri është aty me shumë mjete zjarrfikëse, autobotë uji dhe mjetet të tjera gërrmuese”, tha ministri Peleshi.

Gjendur përballë kësaj emergjence, Ministri i Mbrojtjes ka kritikuar punën e drejtuesve të qarqeve.

“Ka dhe bashki që nuk e kanë parësore punën e emergjencave civile, e quajnë si një punë të dorës së dytë.”

Ministri i Mbrojtjes kërkon koordinim më të mirë të punës për përballimin e emergjencave në nivel vendor. Sipas Peleshit sinjalizimi i hershëm është çelësi për kontrollin e situatës.

“Sa herë që ka një zjarr të madh ka një lloj dështimi nga rrjeti i monitorimit dhe sinjalizimit të hershëm. Sa herë ka zjarre të mëdha duhet ta themi struktura nuk ka funksionuar siç duhet”.

Në të gjithë vendin ka 1600 punonjës zjarrfikës, 182 mjete zjarrfikëse dhe 80 autobotë uji.

Tv Klan