Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendinn janë gjobitur 1278 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Gjithashtu, janë ndëshkuar 10 administratorë subjektesh që kanë zhvilluar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë dhe 41 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur pas orarit të lejuar.

1103 shtetas që nuk kishin vendosur maskat janë gjobitur me 30 mijë Lekë të vjetra.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative 175 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskën mbrojtëse, si dhe kanë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, 59 drejtues mjetesh që qarkullonin pa autorizimin përkatës pas orës 20:00.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë, 8 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë dhe janë lënë të lirë.  

Janë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë secili, 10 administratorë subjektesh që janë konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë.    

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 41 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.   /tvklan.al