90% e emigrantëve të parregullt u kapën në kufirin shqiptar me Greqinë

Shqipëria mbetet korridori i emigrantëve të paligjshëm që vijnë nga zonat e konfliktit, për të shkuar drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Drejtoria e kufirit dhe migracionit në Policinë e Shtetit ka evidentuar gjatë analizës 9-mujore se në vendin tonë kanë hyrë nga Greqia pothuajse 13 mijë emigrantë të parregullt. Krahasuar me 9-mujorin e vitit të shkuar janë rreth 1300 më shumë klandestinë të ndaluar nga policia shqiptare.

Fluksi i emigrantëve të parregullt, nga vendet e Lindjes ishte gjatë muajve të verës, ku u ndaluan nga patrullat e policisë shqiptare dhe Frontex, rreth 6500 shtetas të huaj. Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga Lindja e Mesme, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku. Largimi i tyre nga vendet e origjinës është për shkak të konflikteve të luftës, por edhe për varfërinë. Sipas burimeve, risia e këtij viti është që 90% e klandestinëve të kapur, janë pranë pikave kufitare, kryesisht Kakavijë dhe Kapshticë, ndryshe nga vitet e shkuara ku janë kapur në qytete të ndryshme të vendit.

Referuar të dhënave 60% e 13 mijë emigrantëve të parregullt janë përsëritës në vendin tonë. Kjo vërtetohet nga sistemi i policisë kufitare, ku janë të regjistruar shenjat e gishtërinjve të klandestinëve që s’kanë dokumente identifikimi.

Viti i shkuar u mbyll me 15,559 emigrantë të parregullt që kaluan kufirin e gjelbër dhe tentuan të kalojnë nga Shqipëria drejt Malit të Zi e Kosovës, dhe me destinacion final vendet e BE-së.

Klan News