Opozita kërkesë KQZ për 13 Tetorin

Opozita kërkesë KQZ për 13 Tetorin

13:40 02/08/2019

“Nis procedurat për zgjedhjet lokale”

Një ditë pas apelit të Presidentit Ilir Meta drejtuar institucioneve dhe partive politike që të zbatojnë dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve në 13 Tetor, partitë opozitare kanë bërë lëvizjen e parë, duke i kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të nisë procedurat për zgjedhjet.

Duke e konsideruar të paligjshëm 30 Qershorin, Partia Republika, Partia Agrare Ambjentaliste dhe LSI,  theksojnë se data e re e caktuar me dekret për zhvillimin e vendoreve është 13 Tetori, ndaj në bazë të kodit elektoral, Komisioni duhet të fillojë përgatitjet për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit.

Kërkesa e depozituar tashme në KQZ ishte edhe mbrëmjen e së enjtes në qendër të takimit që Lulzim Basha zhvilloi në orët e vona me aleatët e tij në selinë blu.

Burime nga Partia Demokratike konfirmojnë për Televizionin Klan se Basha është shprehur që KQZ e ka detyrim të pashmangshëm ligjor të përgatisë zgjedhjet e 13 Tetorit, pasi i vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i Presidentit.

Nëse do të ketë zgjedhje me 13 Tetor, e hëna e 4 Gushtit është afati i fundit për regjistrimin e partive.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se do ta shqyrtojë kërkesën të shtunën, edhe pse ky institucion nuk e ka njohur dekretin e Presidentit për 13 Tetorin dhe organizoi e përmbylli procesin për zgjedhjet vendore te 30 Qershorit.

Edhe maxhoranca është shprehur se 13 Tetori do të jetë vetëm një ditë e zakonshme pushimi, pasi zgjedhjet vendore janë mbyllur tashmë.

Ndërsa opozita, edhe pse i kërkon KQZ–së të zhvilloje zgjedhjet me 13 Tetor, nuk ka marrë ende një vendim për të hyrë në këto zgjedhje, pasi ajo vazhdon ta kushtëzoje pjesëmarrjen me  largimin e Kryeministrit.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT