“Mami e dha vëllain dhe motrën tek një familje”

“Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e dhimbshme të një vajze 13-vjeçare. Edhe pse ende fëmijë, ajo ka përjetuar dhe vazhdon të përjetojë një fëmijëri tepër të vështirë. Intervista në studio me vogëlushen u zhvillua në prani të psikologes Erlinda dhe për mos zbuluar identitetin e saj, vajzës iu vendos emrin Ana.

13-vjeçarja ka rrëfyer se është rritur mes varfërisë dhe dhunës sepse babai i saj pinte së tepërmi dhe ushtronte dhunë ndaj mamasë së saj, motrës dhe vëllait. Në këto kushte, mamaja largohet nga shtëpia me 3 fëmijët e mitur dhe për një periudhë kohe enden rrugëve në Greqi. Për shkak se nuk mund të rriste të tre fëmijët, e ëma ua jep 2 fëmijët e rritur, dy familjeve që njihte, ndërsa Anën e mban vetë.

Mirela Milori: Ti je 13 vjeç?

Ana: Po!

Mirela Milori: Studion apo jo? Si shkon me mësime?

Ana: Po! Shumë mirë. Më pëlqen shumë të studioj, kam edhe pak probleme me gjuhën shqipe.

Mirela Milori: Pse? Nuk ke lindur në Shqipëri?

Ana: Jo jam lindur jashtë shtetit dhe kam ardhur këtu në Shqipëri.

Mirela Milori: Më trego pak për fëmijërinë tënde?

Ana: Babin e kam patur pijanec, pinte shumë dhe vinte në shtëpi bërtiste, rrihte mamin, vëllain, motrën. Mami vendosi që të iknim, të na merrte dhe të iknim, por nuk dinim se ku sepse nuk kishin dikë atje. Ishim shumë të vegjël, unë isha bebe, flinim rrugëve. Vëllain dhe motrën e dha në një familje që e njihte, kishte punuar tek ata, ndërsa mua më mbante me vete.

Mirela Milori: Ti ke motra dhe vëllezër? Sa?

Ana: Po! Një vëlla dhe motër.

Mirela Milori: Ti jetoje me mamin dhe babin në Greqi. Këtë histori ta ka thënë mami me siguri sespe ti ishe bebe?

Ana: Po!

Mirela Milori: Tani jeton me prindërit?

Ana: Tani jetoj me mamin! Unë dhe ajo flinim rrugëve, nëpër pallate, në hyrje që gjenim. Ata njerëzit, se ne i bezdisnim na hidhnin mbeturina, qese, topa, ujë, hapnin çezmën që lag lulet dhe na lagnin. Shkonim në pallat tjetër se mendonin se nuk do na bezdiste dikush. Shkoja në çerdhe, në kopsht, ca herë pa larë, pa rroba. Kalamajtë qeshnin me mua dhe unë ndihesha shumë keq. I kërkoja mamit lekë që të blija gjërat siç i kishin dhe shokët dhe shoqet.

Mirela Milori: Sa vjeç ishe ti?

Ana: 3 vjeç-4 vjeç!

Psikologe Erlinda: Ana çfarë ndodhi me motrën dhe vëllain tënd?

Ana: Motrën e dha në një familje që ka punuar dhe e njihte, edhe vëllain e dha në një familje që i njihte.

Mirela Milori: I dha për birësim?

Psikologe Erlinda: I dha për t’i mbajtur, jo me procedurën e birësimit./tvklan.al