Mbi 130 ndërtime pa leje janë shembur përgjatë vijës bregdetare të vendit nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrotjes së Territorit.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, bën një bilanc me të dhënat e fazës së parë të operacionit “Bregdeti Ynë”, teksa Policia e Shtetit prej tre ditësh vijon kontrollin në stacionet e plazhit për të evidentuar hapësirat e zaptuara.

“Në fazën e parë të operacionit “Bregdeti Ynë”, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil shembi mbi 130 ndërtime pa leje, si dhe vendosi rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte. Dhjetra persona janë arrestuar e të tjerë po ndiqen penalisht. Nuk ka mbaruar këtu gjithçka e as nuk do ta ndalim punën për çlirimin e bregdetit nga zaptuesit.

Prej tre ditësh Policia e Shtetit në vijim të këtij operacion po kryen kontrolle për të evidentuar edhe ato subjekte që në mënyrë të paligjshme po shfrytëzojnë hapësirat e plazheve. Kemi detyrimin të mbrojmë këtë pasuri tonën të përbashkët dhe të çojmë para drejtësisë shkelësit e ligjit. Pas bregdetit, IKMT dhe Policia e Shtetit do të vijojnë punën për pastrimin e territorit nga ndërtimet pa leje edhe në zona të tjera të vendit. Gjej shesh të lirë, zapto e ndërto pa leje, të mos e mendojë më askush”, shprehet ministri Çuçi.

Operacioni “Bregdeti Ynë” nisi në fillim të muajit Qershor. Pas ndryshimeve të fundit në Kodin Penal, është ashpërsuar ndëshkimi për ata që ndërtojnë pa leje.

Për herë të parë ligji parashikon penalitete jo thjesht për subjektin, por për të gjithë zinxhirin ndërtimor. Përsa i përket kontrollit dhe mbrojtjes së territorit, Shqipëria pritet të hyjë në një fazë të re përmes përdorimit të dronëve super-inteligjentë dhe pajisjeve të tjera të teknologjisë së lartë. /tvklan.al