150 nga të prekurit janë fëmijë 

Situata me helmimin masiv në qytetin e Krujës vijon të jetë problematike edhe këtë të enjte. Të tjerë persona i janë drejtuar për shërbim urgjencës së spitalit gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në rreth 600 numrin e qytetarëve të prekur nga helmimi. Simptomat janë të njëjta me ato të qytetarëve të tjerë, dhimbje barku, të vjella, diarre dhe temperaturë e lartë.

Megjithatë pjesa më e madhe e pacientëve nuk kanë pasur nevojë për hospitalizim.

Nga Instituti i Shëndetit Publik nuk ka ende një përgjigje për analizat e ujit, që dyshohet si shkaku kryesor i helmimit. I vetmi konfirmim vjen nga Ujësjellësi i Krujës që konstatoi nga analizat një prezencë të lartë amoniaku. Këtë të enjte është bërë edhe dezinfektimi i depozitave kryesore të furnizimit me ujë, ndërsa banorët po e blejnë atë për t’u shërbyer.

Deri në ardhjen e përgjigjes zyrtare mbi shkaqet që ka krijuar këtë situatë është ndërprerë furnizimi i qytetarëve me ujë nga rrjeti ndërsa bashkia po bën shpërndarjen e ujit të pijshëm me autobote.

Tv Klan