Xhafaj, Ruçi, Rakipi dhe Boçi thyejnë herësin, Rama kandidati më i votuar në Shqipëri

Nuk fituan besimin e kryesocialistit Edi Rama për të qenë në pjesën e sigurt të listës, por Fatmir Xhafaj dhe Orlando Rakipi ia dolën të sigurojnë një karrige në Kuvendin e Shqipërisë. I renditur i 23-ti në Qarkun e Tiranës, Fatmir Xhafaj ishte kandidati i parë që theu herësin me vota preferenciale, e më pas  Orlando Rakipi i renditur i 30-ti në listën e PS.

Me fitimin e mandateve, Orlando Rakipi dhe Fatmir Xhafaj skualifikuan Ervin Bushatin, drejtuesin politik të PS në Tiranë, dhe Fidelin Yllin.

Në Tiranë, në përfundim të numërimit dy emra të rëndësishëm të socialistëve, Pandeli Majko e Mimi Kodheli mbetën jashtë parlamentit të ri. Atyre u duhej të grumbullonin të paktën 10 mijë vota në total për të thyer herësin që të zinin vendin e një prej kandidatëve më pak të votuar në 18 emrat e parë, çka nuk ia kanë arritur.

Një tjetër figurë e PS nuk do të jetë në parlamentin e ri. Ilir Beqaj me 3920 vota preferenciale nuk mund të kalojë në renditje në vendin e 3-të, ndonëse ka më shumë vota se Edona Bilali. Kjo për shkak të respektimit të kuotës gjinore.

Nga kampi opozitar surprizat u rezervuan nga Luçiano Boçi, i cili duke thyer herësin në Elbasan arriti të marrë mandatin e deputetit, në vend të Eugen Isajt. Ndërsa Agron Kapllanaj, nuk arriti dot të merrte një mandat, ndonëse ishte shumë afër thyerjes së herësit prej 10000 votash për Qarkun e Fierit.

Në të gjitha qarqet dhe nga të gjitha subjektet zgjedhore, numrin më të lartë të votave preferenciale e ka kryeministri Edi Rama, i cili kandidoi në dy qarqe, Vlorë dhe Durrës. I dyti me më shumë vota në rang vendi renditet Taulant Balla në qarkun e Elbasanit.

Lulzim Basha kryeson listën e PD me vota preferenciale në Tiranë, ndërsa surprizë ishte kreu i FRPD Belind Këlliçi, i cili është shumë afër arritjes së pragut zgjedhor. Ish-kryeministri Sali Berisha renditet i 7-ti në Tiranë për votat në emër të tij.

Nga kabineti qeveritar, më i votuar rezulton zv.ministri Erion Braçe i rendituri i pari në listën e Fierit. Më pas vjen ministrja Belinda Balluku, Bledi Çuçi me mbi 11 mijë vota në Qarkun e Gjirokastrës. Me një diferencë të vogël, pas tij renditet ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në listën e Korçës ndjekur nga ministri i Turizmit Blendi Klosi i cili ka marrë 11 186 vota në Berat.

Ndërkohë në qarkun e Tiranës, janë 7 ministra që kandidojnë për deputetë, ku epërsinë me shumicë votash deri më tani e ruan ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku. Më pak i votuari është ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi.

Emrat e rinj të prezantuar me bujë nga Edi Rama dhe që tashmë e kanë një vend të sigurt në Parlament janë Najada Çomo dhe Luljeta Bozo në Tiranë, Edona Bilali në Shkodër, Greta Duraku në Kukës, Lavdrim Krashi në Dibër etj.

PS e arriti objektivin bazë në Lezhë, Durrës, Elbasan, Berat, Korçë dhe Vlorë, ndërsa maksimali u arrit vetëm në Gjirokastër. Në Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë dhe Fier nuk u arrit as objektivi bazë dhe as maksimal.

Zhgënjimi më i madh i këtyre zgjedhjeve ishte LSI, e cila nga 40 mandate të pritshme mori vetëm 4. Si përfaqësues të elektoratit të saj, LSI do ketë në Kuvend Monika Kryemadhin, Agron Çelën, Erisa Xhixhon dhe një prej kandidatëve Petrit Vasili ose Kejdi Mehmetaj, që janë pas Kryemadhit në listat e Tiranës e Fierit.

Ndërsa partitë e vogla që kandiduan me bujë të madhe nuk do të kenë asnjë përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë. Jozefina Topalli e cila kandidonte e para në listat e partisë së saj në Shkodër nuk arriti të fitojë asnjë mandat. Ndërkohë kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi ka siguruar 671 vota në qarkun e Tiranës ku renditej i pari në listat e partisë së tij.

Por janë të shumtë dhe kandidatët në listat e aspirantëve për një mandat në Kuvendin e ardhshëm që nuk kanë marrë asnjë votë në zgjedhjet e 25 Prillit. Në këtë listë janë kryesisht kandidatë të partisë  Aleanca Bashkimi Popullor Emigracioni, Ora e Shpresës, Konservatorët dhe Ballit Kombëtar.

Klan News