Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule ka qenë i ftuar sot në studion e Klan News, ku foli për zgjedhjet lokale.

Ashtu siç pretendon dhe ish-kryeministri Sali Berisha, edhe Dule tha me bindje se gjatë procesit zgjedhor ka pasur blerje masive votash. E për ta provuar këtë, ai theksoi se duhet të ngrihet një komision hetimor.

“Është i domosdoshëm një komision hetimor, por  jo thjesht dhe vetëm për të argëtuar shqetësimet e qytetarëve sepse ne kemi një përvojë me to se asnjëherë nuk nxjerrin në pah thelbin e çështjeve. Ishte një blerje masive e votës, një trysni e gjithanshme, përshembull në bashkinë e Himarës, ishte një trysni deri në asfiksi për zgjedhësit.”

Dule shpjegoi konkretisht një rast, ku sipas tij në Himarë manipuloheshin zgjedhësit për votën.

“Po ju them një rast, në një qendër votimi përballë ekziston një lokal, në të ishin njerëz të afërm të kryetarit të atëhershëm të bashkisë dhe punonjës të bashkisë, shkonin për të ushtruar të drejtën e votës qytetarët, sa afroheshin u binte telefoni. Mos harroni se kërkesën për legalizim prone e merrni ditën e Hënë, ishte diçka e drejtëpërdrejtë . Edhe punonjës të Kadastrës…Pse ankohemi për patronazhistët?!  Çdo qytetar është i skeduar me problemet  e tij, e shkelin në kallo aty ku qytetari nuk mund të rezistojë.”

Kreu i PBDNJ-së deklaroi se pas arrestimit të Fredi Belerit, pati përgjegjësinë e gjithë fushatës në Himarë.

“Në Himarë çdo votues u shndërrua në gardian pas arrestimit të Belerit, unë duhet të merrja gjithë barrën e fushatës dhe u surprizova për mirë sepse çdo qytetar jepte informacion në kohë reale për atë që po ndodhte në qendrat e votimit.”

Dule u shpreh po ashtu se në Himarë rrëmbehen prona në mënyrë të paligjshme çdo ditë.

“Është një histori e dhimbshme ajo që po ndodh në Himarë, nuk u është dhënë rasti qytetarëve, me përjashtim të zgjedhjeve 2003, 2007 që vota e tyre të numërohet, kanë autoritet lokal të imponuar. Interesat korruptive janë të tilla që kapërcejnë dhe fantazinë më të avancuar, aty rrëmbehen prona si askund tjetër, me intensitet dhe masivitet. I rrëmbehet pronarit të ligjshëm dhe i ofrohet interesit klientelist të kryeministrit, hapësira bregdetare që janë fileto për zhvillimin turistik. I gjithë komuniteti i Himarës është nën një trysni të pabesueshme. Më shumë se Rama, këtë shndërrimin në një atraksion turistik e duan vetë banorët, jo për interesa të qeverisë. Zoti Rama kërkon t’u imponohet, t’u rrëmbejë pronat. Çdo orë që kalon rrëmbehet një sipërfaqe e caktuar toke bregdetare me shumë vlerë.”/tvklan.al