Prokurori i përgjithshëm merr masat për zgjedhjet: Prioritet çdo kallëzim

Në prag të fushatës zgjedhore ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim dhe kryetarja e delegacionit të BE Christine Hohman, kanë zhvilluar një takim për rreth 45 minuta në ambientet e KQZ me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi.

Yuri Kim ka theksuar se integriteti i figurës së kandidatëve  është i rëndësishëm për garën e zgjedhjeve të 14 Majit. Kryediplomatja amerikane ka kërkuar që në procesin zgjedhor të respektohen ligjet dhe  rekomandimet e ODIHR.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka nxjerrë qarkoren për për masat administrative dhe procedurale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm për zgjedhjet e 14 Majit.

Prokurori i Përgjithshëm kërkon nga drejtuesit e prokurorive të rretheve gjyqësore, të marrin masa për organizimin dhe funksionimin e gatishmërisë së përforcuar në prokuroritë që drejtojnë duke nisur që nga fillimi i fushatë zgjedhore deri me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, drejtuesit e prokurorive dhe prokurorët duhet të vlerësojnë dhe trajtojnë me prioritet çdo kallëzim që dëmton procesin zgjedhor.

Prokurorët në kërkesat për caktimin e masave të sigurimit personal dhe për caktimin e masave të dënimit për këto grupeve penale, duhet të bëjnë kujdes dhe vlerësojnë ashpërsimin e kërkimeve, si për llojin e masave të sigurimit personal, ashtu dhe për llojin dhe masat e dënimit për veprat penale.

Ndërkohë, struktura përkatëse në Prokurorinë e Përgjithshme dhe drejtuesit e prokurorive e prokurori për marrëdhëniet me publikun ne secilën prokurori, do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar dhe shkëmbyer informacione dhe dërgimin Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. 

Klan News