Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim bashkë me ambasadoren e Bashkimit Evropian Christiane Hohmann kanë shkuar këtë të Mërkurë në KQZ.

Edhe pse mbledhja ka qenë e mbyllur, ambasadorja amerikane në vend Yuri Kim dhe ajo e Bashkimit Evropian Christiane Hohmann kanë bërë të ditur në rrjetet e tyre sociale se në KQZ u diskutua për zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Gazetari i Klan News Enkel Xhangoli i cili ka ndjekur nga afër zhvillimet e këtij takimi 45 minutësh, raporton se të dyja ambasadoret kanë vënë theksin te një proces i rregullt zgjedhor dhe verifikimi ligjor i kandidatëve për kryetar bashkie.

 “Takimi zgjati rreth 45 minuta, në fokus kanë qenë zgjedhjet pasi takimi vjen në prag të nisjes së fushatës zgjedhore për 14 Majin. Të dyja ambasadoret kanë theksuar që KQZ të respektojë ligjin, por edhe të bëjë verifikimin e duhur përsa i përket kandidatëve për kryetar bashkie apo edhe ata për këshillat bashkiakë. Në këtë proces zgjedhor, kanë thënë ambasadoret duhet të vlerësohen të gjitha rekomandimet e dhëna nga ODIHR dhe të respektohet të gjitha rregullat e kodit zgjedhor nga ana e subjekteve politike. Yuri Kim në të gjitha daljet e saj u ka bërë thirrje partive politike të bëjnë përzgjedhjen e duhur të kandidatëve dhe nga ana tjetër që KQZ të bëjë të gjitha verifikimet.  Nuk ka patur një komunikim publik dhe mbledhja ka qenë e mbyllur.”

Sa i takon mbledhjes së sotme që nisi në orën 12:00 të KQZ-së,  Xhangoli bën me dije se kryekomisioneri Ilirjan Celibashi do të deklarojë miratimin e kandidaturave të përzgjedhura nga ana e subjekteve politike.

“Do të verifikohen emrat nëse i plotësojnë rregullat dhe nëse kanë integritetit për pastërtinë e figurës të lidhur me drejtësinë. Për të shmangur raste të tilla me kryebashkiakë të ardhshëm, KQZ do shqyrtojë nëse secili kandidat plotëson secilën pikë të paracaktuar në ligj. Kanë përfunduar të gjitha dorëzimet e bëra nga ana e partive, koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Partia Socialiste kanë qenë të saktë deri më tani me dorëzimin e numrit të kandidatëve, ndërsa e njëjta gjë nuk mund të thuhet për PD-në zyrtare, ku Enkelejd Alibeaj nuk ka arritur të sigurojë kandidatët për secilën bashki të vendit.”

Kujtojmë se ambasadorja amerikane Yuri Kim po zhvillon një turne në të 61 bashkitë e vendit, e ndërsa dje deklaroi se pritshmëritë e Uashingtonit janë që Shqipëria do të bëjë më të mirën që të sigurojë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standardet dhe normat ndërkombëtare.

Kryediplomatja amerikane thekson se qytetarët meritojnë një vend  më të mirë dhe SHBA do të vijojë t’i mbështesë shqiptarët.

Më 14 Prill nis zyrtarisht fushata zgjedhore deri më 13 Maj, që është heshtje zgjedhore dhe më 14 Maj është dita kur qytetarët do iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e qytetit të tyre./tvklan.al