2 persona u arrestuan në Vlorë, pasi ishin në kërkim ndërkombëtar për vjedhje me dhunë të 10 mjeteve motorike në Itali. Ata janë Eduart Alikaj, 51 vjeç, dhe Feta Shametaj, 28 vjeç.

“Eduart Alikaj dhe Feta Shametaj ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Torinos, me vendimin e datës 04.05.2023, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, thuhet në një njoftim zyrtar të Policisë së Shtetit.

Kjo e fundit bën po ashtu të ditur se “gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet që këta shtetas përdornin, në fshatin Babicë, u gjetën dhe u sekuestruan 1 mjet ekskavator i dyshuar i vjedhur, 1 mjet kamion, brenda të cilit është gjetur 1 mjet lundrues gomone me gjatësi rreth 13 metra, me 3 motorë (marka “Yamaha”), me fuqi 415 KF, që dyshohet se mund të përdorej për ngjarje kriminale.”



Po sipas të njëjtave burimeve, Alikaj dhe Shametaj u arretuan në kuadër të një operacioni që u zhvillua në të njëjtën kohë, në Itali, Shqipëri, Zvicër, Slloveni, Francë dhe Belgjikë, si dhe u koordinua nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lion. Policia thotë se në total gjatë këtij operacioni, në Itali dhe në Shqipëri, janë arrestuar 14 persona dhe për 3 të tjerë është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Po ashtu, policia thotë se si rezultat i hetimeve të përbashkëta është gjurmuar vjedhja e 12 automjeteve me vlerë të lartë ekonomike dhe e 10 makinave të tjera për bujqësi dhe ndërtim, të cilat rezultojnë të vjedhura në veri të Italisë.

Vlera totale e mjeteve, të gjitha të destinuara për t’u tregtuar në vendet afrikane (Gambia dhe Egjipt) dhe në vendet e gadishullit ballkanik (Slloveni dhe Shqipëri), llogaritet mbi 1 milion euro. Disa nga këto mjete, konkretisht 6 automjete dhe 9 makineri operuese, janë lokalizuar dhe sekuestruar në Itali, Shqipëri, Zvicër, Slloveni, Francë dhe Belgjikë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, drejt Italisë./tvklan.al